William Tilman një prej eksploratorëve më të mëdhenj botërorë në mes të partizanëve

Tilman, i njohur si një nga shkrimtarët më të madhej anglezë të letërsisë të udhëtimeve, rrëfen aventurën e tij mes partizanëve shqptarë. Dhjetë muaj pranë Shefqet Peçit e Bedri Spahiut. Takimi dramatik me Mehmet Shehun dhe përse misionet angleze u hamendën për një kohë të gjatë mes ballistëve dhe partizanëve

 

Nga Auron Tare

 

“Ishte një natë e ngrohtë gushti e vitit 1943, kur nga barku i avionit anglez “Halifax” u hodha me parashutë mbi një grumbull malesh të panjohura për mua deri më atëhere. Zjarret e ndezura si sinjalet për ne ishin mjaft larg dhe na u desh të ecnim gjatë për të takuar mikpritësit tanë, partizanët shqiptarë”. Me këto fjalë majori britanik Tilman i fillon shënimet e tij për aventurën shqiptare të titulluara: “Kur malet dhe njerëzit takohen”. Por, mikpritësit e tij nuk mund ta dinin kurrsesi se atë natë gushti në malet e ashpra shqiptare, ata kishin pritur një nga eksploratorët më të madhej të shekullit të 20-të William “Bill” Tilman.

Bill Tilman, anëtar i grupit ekskluziv të exploratorëve botërorë të “Shoqatës Mbretërore të Gjeografisë”, ishte një personazh i cili i përkiste “brezit të humbur” të dalë pas Luftës së Parë Botërore. Pasi kishte shpëtuar gjallë nga tmerret e luftës, i ishte dedikuar përjetësisht pushtimit të majave më të larta në Botë.

Mik i ngushtë me legjendën tjetër të maleve Eric Shipton, ata së bashku exploruan një sërë vendesh si në Patagoni, Afrikë, Juglindjen e Azisë dhe sigurisht... dhe të pa pushtuarat deri më atëherë: Himalajat. Tilman është një nga dy eksploratorët e parë që ngjitën majën e Nanda Devit në Himalaja, maja më e lartë e pushtuar nga njeriu. Suksesi i kësaj ekspedite bëri që fama e tij të ishte e pazakontë dhe si rezultat iu besua drejtimi i ekspeditës për ngjitjen e Everestit më 1938. Kjo ekspeditë, për mënyrën se si u realizua dhe rezultatin që solli, hyri në analet eksploruese si “stili Tilman & Shipton”. Por Tilman ishte dhe një shkrimtar brilant, i cili kontribuoi shumë në krijimin e letërsisë së udhëtimeve. Ai botoi një numër të madh librash rreth udhëtimeve të tij eksploruese, vendeve dhe njerëzve që takoi.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, për eksperiencën e pasur në njohjen e maleve dhe luftës guerile, ai u caktua të shërbente në Grupin elitar të njohur si SOE, pararendësja e “Beretave të Gjelbra” te forcat Komando angleze. I stërvitur në përdorimin e eksplozivit dhe krijimit të grupeve partizane, Tilman u parashutua në malet e Shqipërisë për të ndihmuar partizanët shqiptarë në goditjen e vijave të komunikacionit gjerman.

“Shtabi ynë ishte caktuar në një fshat të vogël të quajtur Sheper, mes maleve të Zagorisë,- shkruan Tilman. Udhëtuam tre ditë nëpër male, pas mushkave tona të ngarkuara me pajisje për të arritur në bazë. Kur iu afruam Përmetit, pamë për herë të parë gjurmët e Luftës. Përmeti ishte djegur plotësisht nga ushtria greke gjatë Luftës së Parë Botërore. Italianët e kishin djegur rishtas dhe popullsia ishte ngjitur në male. Me të arritur në Sheper, pamja e parë që na doli para sysh ishin trupat e tre partizanëve të ekzekutuar para disa orësh se të vinim ne, pranë një kishe. Kolegët e mi, që me sa duket po mendonin të llahtarisur se kishim rënë në duart e një tufe të egrish, hynë në banesën e caktuar duke u dridhur. Pas disa çastesh u prezantuam me Komandantin e Zonës së 1 Operative Islam Radovickën dhe komisarin e tij Bedri Spahiu. Ata na shpjeguan se të vrarët ishin ekzekutuar për shkelje të rregullave të moralit dhe një prej tyre ishte kapur duke vjedhur letër cigareje shokëve të tij. Gjatë gjithë qëndrimit tim mes partizanëve shqiptarë unë isha mjaft i impresionuar nga qëndrimi i tyre ndaj njeri-tjetrit dhe disiplina mjaft e rreptë. Vjedhja, imoraliteti, grabitja dënohej me vdekje. Pesë djelmosha nga Sheperi, të cilët ishin kapur me ilaçe të marra nga parashutimet tona, ishin dënuar me vdekje. Vetëm mosha dhe lutjet e familjeve i shpëtuan ata nga ekzekutimi i sigurtë.”

 Tilman me Komandantin e Zonës së 1 Operative Islam Radovickën

 

 

Përfshirja e anglezëve në çështjet shqiptare gjatë pushtimit italian kishte qenë mjaft e limituar. Foreign Office mbante kontakte me persona politikë, të cilët kishin lënë Shqipërinë pas pushtimit italian dhe nuk e njihnin mirë situatën në vend. Në fillimet e 1941, anglezët nuk kishin një strategji të përcaktuar për Shqipërinë. Në përgjithësi, kur flitej për Ballkanin ata ishin më shumë të preokupuar për çështjet e Greqisë, si aleati kryesor anglez në rajon. Megjithatë, kishte përpjekje nga persona që e njihnin Shqipërinë para lufte, të cilët mundoheshin që të influenconin sadopak politikën angleze për Shqipërinë. Një nga këta persona ishte Lord Glenconner, Shefi i SOE-s (Forcave Speciale Angleze), i cili kishte përgatitur një plan për ndërhyrje në Shqipëri dhe kërkonte që politikanët anglezë të njihnin integritetin e Shqipërisë së paraluftës. Do të ishte merita e tij që politika angleze shprehu një farë interesi për Shqipërinë në fillimet e viteve ’40.

Me shtyrjen e Lordit Glenconner, Sekretari i shtetit Anthony Eden, bëri një deklaratë zyrtare më 17 dhjetor 1942 në Parlament, deklaratë e cila shprehte simpati me fatin e Shqipërisë dhe kërkonte restaurimin e pavarësisë së saj. Kjo deklaratë u pasua nga një deklaratë e ngjashme nga amerikanët dhe sovjetikët.

Por shkaku i vërtetë për këtë hap të politikës angleze ishte plani i përbashkët anglo-amerikan për krijimin e një force kundërshtare për trupat italiane në Ballkan, që do të sillte dhe mundësinë e kapitullimit të tyre. Kjo do të bënte që gjermanët të reagonin në mbrojtje të prapavijave të tyre dhe të pushtonin Ballkanin. Dhe si rrjedhim: dobësimin e frontit rus nga lëvizja e trupave. Shefat e Shtabeve të përgjithshme aleate kishin përgatitur një plan të detajuar për Ballkanin dhe kërkonin mbështetjen e politikanëve për vënien në zbatim. Kjo strategji ishte adoptuar nga Shtabi i përbashkët Aleat në konferencën e Kazablankës, Janar 1943, dhe për herë të parë, Ballkani mori një rëndësi të veçantë në skenën e luftës.

 

“Partizanët, kur vendoseshin pranë ndonjë baze, e kalonin kohën duke zhvilluar debate të pafund politike dhe duke dredhur cigare. Pasi mbaronin debatet, fillonin të këndonin këngë partizane apo të vallëzonin valle, të cilat më pëlqenin shumë me dinamikën e tyre. Në mes tyre kishte një numër vajzash, të cilat punonin si infermiere, përkthyese apo daktilografiste. Ishte e çuditshme, por, siç zbulova më vonë, volumi i shkresave që qarkullonte çdo ditë nuk do të kishte turpëruar një ushtri të madhe e të organizuar mirë. Makina e shtypit që unë iu sigurova, e shtonte edhe më volumin e shkresave propagandistike që ata prodhonin çdo ditë.

Duke pasur kaq kohë në dispozicion, unë iu sugjerova se do të ishte e udhës që të ndihmonin fshatarët në punët e bujqësisë. Por ata ua linin këto punë motrave, grave dhe nënave të tyre.

Në përgjithësi të gjithë luftëtarët mbanin nga një pushkë të vjetër italiane, greke, ruse apo franceze. Kishin shumë pak mitrolozë italianë dhe asnjë automatik, por më alarmante ishte mungesa e këpucëve.

Për herë të parë mora pjesë në luftimet që partizanët bënë në Libohovë. Një garnizon i vogël italianësh  jetonin në kala. Libohova ishte qendra e disa liderëve të njohur të Ballit. Islam Radovicka me treqind partizanë ishin shtrirë në bregun e një përroi dhe prisnin të binte nata. Masat më të rrepta ishin marrë që aviacioni italian të mos i diktonte partizanët, megjithëse unë mendova se këto masa ishin pak të eksagjeruara dhe mbivlerësuese për një aviacion që deri më sot kishte hedhur vetëm një bombë në Sheper. Pasi ra nata, ne filluam sulmin kundra italianëve, të cilat na u përgjigjën me mitrolozë dhe mortaja. Pas disa orësh shkëmbime zjarri nga të dy anët, partizanët hynë në fshat dhe iu vunë zjarrin shtëpive të liderëve kryesorë të Ballit. Pasi ishte e pamundur që të merrej Kalaja, partizanët u tërhoqën në rregull, duke tërhequr edhe gjashtë shokët e tyre të vrarë. Të nesërmen, në Kishën e Labovës, përpara një numri të madh fshatarësh, Bedri Spahiu foli për betejën e mbrëmshme dhe për partizanët e vrarë. Pastaj ata sollën një person i cili dridhej nga frika, të cilin e ekzekutuan përpara trupave të shtrirë të partizanëve. Me sa mora vesh, ai person kishte njoftuar ballistët për sulmin e mbrëmshëm”.

 

Sipas një marrëveshje të nënshkruar midis Shefit të Forcave Speciale angleze SOE dhe atyre amerikane OSS, anglezët do të kontrollonin dhe ndihmonin në krijimin e luftës guerile në Ballkan. Për këtë arsye SOE krijoi Shtabin e Operacioneve për Ballkanin në Kajro, ku seksioni i Shqipërisë u riorganizua dhe u zgjerua me personel ndihmës, të cilët kishin njohuri për Shqipërinë dhe drejtoheshin nga një angleze, që kishte jetuar në Shqipëri prej 15 vjetësh dhe quhej Margaret Hasluck. Kjo zyrë filloi një fushatë rekrutimi për personal të zgjedhur midis forcave angleze që ndodheshin në terren. Grupi i parë i përgatitur më së miri dhe i udhëhequr nga Majori Billy McLean, i njohur si “Misioni Consensus”, u parashutua në Prill të 1943. Grupi i Tilmanit ishte i dyti dhe ishte caktuar që të operonte në Zonën e Parë Operative. Këtu ai u njoh dhe u miqësua me liderët lokalë të rezistencës partizane Islam Radovicka, Bedri Spahiu dhe Shefqet Peçi.

 

“Sapo na njoftuan për kapitullimin zyrtar të Italisë dhe na kërkohej nga Kajro që të merrnim kontakt me trupat italiane në zonën tonë. Në Gjirokastër operonte Divizionin Perugia, i komanduar nga Gjeneral Ernesto Chiminelo. Unë dhe Bedriu (Spahiu) shkuam në Manastirin e Cepos së bashku me 200 partizanë. Atje takova edhe priftin, një figurë mjaft simpatike dhe komike njëkohësisht. Në Cepo ne prisnim që të takoheshim me Gjeneralin Chiminelo, i cili kishte frikë të linte kazermat e tij, me pretekstin se patrullat e Ballit i kishin kërkuar që forcat e tij t’iu dorëzoheshin atyre në emër të Qeverisë Provizore të Tiranës. Pasi pritëm disa ditë, më në fund marshuam drejt Gjirokastrës dhe rrethuam kazermat italiane. Bedriu, unë dhe një eskortë e vogël me flamurë të bardhë, pasi kaluam telat me gjemba, u futëm në zyrat e Gjeneralit. E para gjë që i kërkuam atij, ishte që të largoheshim nga zyrat dhe të shkonim diku nga ku mund të vëzhgonim rrugën. Ne kishim frikë se papritur mund të na shfaqej ndonjë patrullë gjermane dhe na kapte në befasi. Të gjithë dolëm nga zyrat dhe u vendosëm pranë kazermave në një kodër të vogël. Gjenerali ishte i rrethuar nga pesë kolonelë, të gjithë të veshur si për paradë, me çizme që shkëlqenin nga boja dhe plot medalje. Sapo u ulëm, Bedriu që fliste italisht shkëlqyeshëm hapi bisedën. I propozuam Chiminelos që ose të bashkohej me ne, ose të dorëzohej tek partizanët si përfaqësues të aleatëve, ose të digjte gjithçka. Ai na u përgjigj se dëshironte të shkonte në Sarandë, ku i priste transporti për në Itali. Kjo kërkesë nuk na leverdiste, pasi në çdo çast mund të vinin gjermanët. Ne i thamë gjeneralit që të vendoste deri në orën pesë pas dreke se çfarë do të bënte, pas kësaj ore ne do të sulmonim kazermat. Ndërsa ne prisnim, nga kazermat e italianëve na dërguan ushqime dhe ne filluam të hamë. Ndërkohë, Bedriu dhe Shefqeti (Peçi) po bisedonin me një nga italianët, i cili u kishte thënë se ishte i gatshëm t’iu tregonte atyre shtegun nga partizanët mund të shtinin në dorë armatimet në kazerma. Unë i shfaqa dyshimet e mija Bedriut, dhe për momentin ne e lamë italianin të shkonte mbrapsht. Në orën pesë na erdhi një pusullë ku gjenerali shkruante: “Unë nuk i dorëzoj armët”.

Tilman me Shefqet Peçin 

Ramë dakord se një sulm mbi kazermat do të ishte shumë i vështirë dhe vendosëm t’u prisnim ujin italianëve. Ndërkohë unë shkova në Sheper për të komunikuar me Kajron. Kur u ktheva mësova se italianët, pasi kishin djegur gjithçka, ishin larguar natën për në Sarandë.

Në vend që të ndiqnim italianët për në Sarandë, Bedriu vendosi që partizanët të “çlironin” Gjirokastrën. Së bashku me partizanët hymë në Gjirokastër. Njerëzit kishin dalë anës shtëpive të gëzuar në kulm dhe hidhnin lule mbi partizanët. Në sheshin e qytetit, përpara një turme të madhe, filluan fjalimet. Në filli, Prefekti, pastaj Bedriu, pastaj unë dhe pastaj një student nga Zagoria i quajtur Shemsi, i cili filloi të sulmojë Ballin me fjalë mjaft të ashpra. Pranë nesh ishte edhe një nga liderët e Ballit i quajtur Bahri Omari, i cili me gjithë pozitën mjaft delikate që kishte përpara turmës, u përpoq disa herë që t’u përgjigjej akuzave të të riut partizan. Duke parë se mund të krijoheshin probleme, unë i thashë Bedriut që të ndërhynte për të zbritur partizanin nga podiumi.

Ndërkohë që italianët po mundoheshin që të evakuonin trupat e tyre nga Saranda, gjermanët kaluan kufirin e Greqisë dhe hynë në Shqipëri. Unë nuk e pashë më Gjeneralin Chiminelo, më vonë dëgjova se ai dhe 150 oficerët e tij ishin vrarë në Gjirin e Porto Palermos nga gjermanët”.

Tilman, në dallim nga një pjesë e oficerëve anglezë që jetuan dhe punuan në Shqipëri gjatë Luftës, i qëndroi besnik parimit të neutralitetit midis fraksioneve politike që ai gjeti në Shqipëri. I dërguar me mision për të ndihmuar ata që luftonin gjermanët, ai me të mbërritur në Sheper filloi të përgatiste terrenin për krijimin e kushteve të mira për parashutimin e ndihmave për çetat partizane. Tilman shkruan se misioni i tij, me gjithë problemet e mëdha në kohë të tilla, përsëri arriti që të sillte ndihma të konsiderueshme për partizanët e Zonës së Parë. Megjithëse ai e vlerëson shumë faktin se çetat e vogla partizane kishin mundur që të jetonin me ndihmën e popullsisë vendëse edhe me vështirësitë e luftës, ai e vë në dyshim mundësinë se kjo popullsi mund të mbështeste formacione të mëdha partizane. Tilman thekson se ndihma angleze ishte faktor i rëndësishëm për formimin e Brigadave të para partizane.

Për një kohë të gjatë, historiografia komuniste ka nënvlerësuar ndihmën qe dhanë anglezët në krijimin e formacioneve të mëdha partizane, prandaj dëshmia e një oficeri të paanshëm dhe mjaft dashamirës ndaj këtyre formacioneve është për t’u marrë në konsideratë. Sipas dokumenteve të misioneve angleze, vetëm “Misioni Consensus” hodhi pranë partizanëve 19.5 ton armatim luftarak gjatë muajve qershor-gusht 1943.

Për krijimin e Brigadës së Parë, anglezët (sipas dokumentacionit të botuar sollën tre mortaja malore 81. mm, një 45.mm, pesë mitrolozë Breda, një flakëhedhës amerikan, si dhe një numër të madh pushkësh, pa përmendur veshmbathje dhe logjistikë.

“Gjatë shtatorit dhe tetorit, ne arritëm që të organizojmë ardhjen e rreth tre-katër avionëve në muaj që parashutonin armatime, veshmbathje dhe këpucë për partizanët. Pilotët gjithnjë ishin mjaft të saktë në koordinatat që ne u jepnim. Ishte një krenari e madhe për ne, kur “Halifax” katërmotorësh hidhnin ngarkesën e parë dhe ktheheshin përsëri për të hedhur ngarkesën e dytë. Një natë tre avionë të madhej kishin mbërritur në të njëjtën kohë për të parashutuar dhe Lugina e Zagorisë ngjante si një aeroport i vërtetë. Shpesh herë mendoja se ç‘thoshin vallë gjermanët, të cilët rrinin në Gjirokastër dhe me siguri i dëgjonin avionët që parashutonin.

Baza jonë ishte mjaft mirë e organizuar. Shpesh partizanë të ndryshëm vinin të na vizitonin dhe bisedat zhvilloheshin rreth të njëjtës temë. Pse B.B.C nuk denonconte ndihmën që Balli dhe Legaliteti u jepnin gjermanëve? Përse aksionet e kryera nga L.N.Ç. i referoheshin “patriotëve” pa përmendur partizanët?

Për të gjitha këto pyetje unë nuk kisha një përgjigje të saktë.

Një prej misioneve tona kishte ngritur bazën në Karaburun, në një shpellë të quajtur prej nesh “Seaview”. Këtu anijet tona kishin sjellë disa tonelata me armatime dhe veshmbathje, por fatkeqësisht, megjithëse oficerët ishin munduar që të mbështesnin të dy krahët (Ballin dhe partizanët), ata më në fund kishin vendosur që të mbështesnin Ballin. Ndërkohë, Balli ishte afruar shumë me gjermanët dhe urdhrat ishin që këto armatime të mos u jepeshin atyre, por gjermanët sulmuan bazën dhe i morën të gjitha armatimet.

Ndërkohë unë po shikoja mundësinë që të hapnim një pikë zbarkimi për anijet tona në territoret e kontrolluara nga partizanët në bregdet. Për këtë arsye, se bashku me shoqëruesin tim Mehmetin, u nisëm nga Sheperi për në Borsh dhe Karaburun, për një mision vëzhgues. Një natë qëndruam në fshatin Golem të Kurveleshit dhe pastaj në Shtabin partizan në Kuç. Kuçi ishte i gjithi i djegur, dhe unë pashë qindra ushtarë italianë që, të shtrirë në kasolle të ndërtuara me kashtë, jetonin në mjerim të madh. Më vonë partizanët i ndanë ata nëpër shtëpitë e fshatarëve, ku punonin në shkëmbim të ushqimit. Doja të thosha se shqiptarët treguan një fisnikëri të madhe në trajtimin e këtyre ushtarëve, të cilët kishin pushtuar vendin e tyre dhe iu kishin shkatërruar shtëpitë. Nga Kuçi shkova në Brataj, ku takova Brigadën e Parë, në inaugurimin e së cilës kisha qenë në gusht. Në ate zonë Balli dhe partizanët ishin mjaft të acaruar me njeri-tjetrin. Takova Mehmet Shehun, i cili më foli mjaft ashpër për politikën angleze të bashkëpunimit me të dyja palët. Ai më dha një mesazh personal për oficerin anglez të “Seaview”, ku ai Mehmet Shehu nuk do të mbante përgjegjësi për atë që do të ndodhte, në se ai e merrte atë bazë. Megjithatë, fjalori i përdorur prej tij nuk ishte asgjë në krahasim me atë të një vajze të re, e cila ishte pjesë e stafit të tij. Sjellja e saj ishte mjaft e ashpër dhe me një gjuhë papagalli, na shurdhoi me propagandë deri në mesnatë.

Pasi kalova nëpër Dukat, me vështirësi të madhe u gjenda në bazën e “Seaviw”, ku takova oficerin përgjegjës për misionin. Ishte e pamundur që pas një jete të gjatë me njërën apo tjetrën palë, të mos ishte simpatizant i çështjes së tyre. Dhe për këtë arsye, unë e kuptoja mjaft mirë misionin e “Seaview” dhe simpatitë e tyre për Ballin.

Në kthim, ne ramë në një betejë që po zhvillohej midis partizanëve dhe ballistëve. Ne qëlluam shumë afër dhe, pasi iu dhamë të njohur partizanëve, ata na shoqëruan tek Mehmet Shehu, i cili tregoi përsëri mosaporvimin e tij me oficerët e “Seaview”. Ndërkohë garnizoni gjerman i Llogarasë kishte  ardhur në ndihmë të fshatit Dukat dhe partizanët u tërhoqën.

Kur u kthyem në bazë na priste lajmi i keq se Lideri i misionit Britanik në Shqipëri, Davis ishte kapur nga gjermanët dhe zëvendësi i tij kishte vdekur. Një pjesë e fshatrave të Zagorisë ishin djegur nga gjermanët dhe nga banda balliste e një personi të quajtur Ismail Golemi dhe ndihmësit e mi kishin lëvizur bazën tonë nga Shqipëria”.

Tilman u largua nga Shqipëria në maj të 44-s, pas gati 10 muajsh qëndrimi mes partizanëve, për të cilët ai kishte mjaft simpati për luftën kundër gjermanëve. Me gjithë rrjedhën që morën ngjarjet pas lufte, ai me guxim botoi pikëpamjet e tij për ata me të cilët ai ndau vështirësitë e mëdha në malet shqiptare, ashtu si edhe shkruan në shënimet e tij: “U largova nga Shqipëria i bindur se mbështetja jonë materiale, financiare dhe morale për partizanët ishte e drejtë. Fatkeqësisht, mbështetja jonë u vu në pikëpyetje kur ne mbështetëm edhe grupime të tjera politike. Në fillim të gjithë u trajtuan njësoj, por ku grupimet e tjera u treguan të pavullnetshme të luftonin gjermanët, ne vazhduam t’i mbështesnim këto grupime moralisht e materialisht, refuzuam që t’i denonconim publikisht dhe asnjëherë nuk folëm qartë për sakrificat e shumta të partizanëve. Si rezultat i kësaj politike të mefshtë, ndershmëria jonë si oficerë u pa me dyshim. Një partizan i thjeshtë nuk mund ta kuptonte se me gjithë aleancën tonë me Rusinë, ne nuk mund të mbështesnim komunizmin. Me mbështetjen e një grupi të vetëm, ne mund të ofendonim një pjesë të shqiptarëve dhe mund t’i fusnim ata në një situatë të vështirë pas lufte, por përderisa ne kishim ardhur për të inkurajuar rezistencën, ishim të detyruar të mbështesnim vetëm ata që bënin rezistencë. A ishte një politikë dritëshkurtër apo jo, ajo që ndoqi Anglia, unë nuk mund të them. Partizanët kishin fajet e tyre, por e vërteta qëndron se ata luftuan, u vranë për të njëjtin qëllim për të cilin luftonim edhe ne. Kurajon që ata treguan gjatë luftës, dëshirën për të fituar, besimin në vetvete dhe në çështjen e tyre, të gjitha këto më bënë të besoj se ata e meritonin që të udhëhiqnin vendin pas lufte”.

Pas lufte, Tilman ndërmori një seri ekspeditash në zonat më të vështira të globit si në Kinë, Nepal, Kashmir, si dhe në shkretëtirën e Gobit. Ai së bashku me një grup të zgjedhur alpinistësh, ngjiti majat e Rakaposhit dhe Muztagh Ata në Himalaja. Në një prej udhëtimeve të tij nëpër lumin Oxusë (nga burimet e deri në Afganistan), ai u arrestua nga forcat afgane dhe u lirua nga protestat e shumta të një sërë liderësh botërorë.

Por Tilman kontribuoi gjithashtu jo vetëm në pushtimin e majave më të larta botërore, por edhe në letërsinë botërore me një numër librash, që edhe sot mbahen si kryevepra të letërsisë së udhëtimeve eksploruese. I quajtur si eksploratori më i mirë i shek.20-të, ai është vlerësuar edhe nga kritikët letrarë si shkrimtari më i mirë i ekspeditave. I palodhur me udhëtime dhe eksplorime të pafund, në moshën 80 vjeçare në 1977, vendos që të eksplorojë i vetëm hapësirat e Oqeanit Antarktik me jahtin e tij personal. Ky eksplorim do të ishte edhe udhëtimi i fundit për të, pasi nuk u kthye më kurrë prej andej. Një epilog për jetën e tij, ndoshta të cilin e kishte parashikuar si mbylljen më të denjë të një kapitulli aq të lavdishëm prej eksploratori.

 

Komentet

Comments

Tilman e ka shume gabim.Luften kunder pushtuesve te eger Nazist e kane bere Ballistet dhe Zogistet.

I just couldn't depart your web site before suggesting that I really enjoyed the standard information a person provide for your
guests? Is going to be back regularly to inspect new posts by
Wordpress

Also visit my web site: เว็บไซต์ (raumonchiboard.wordpress.com)

www.lapsi.al nje sherbim mediatik elektronik i plotsuar dhe shume informues. Urime!

http://iloeshow.com/QQOMWWNIKD2グッチ メンズ 財布 中古
グッチ 靴 中敷き http://boncuklu.org/QQSYWJHJRO7

William Tilman një prej eksploratorëve më të mëdhenj botërorë në mes të partizanëve | Lapsi.al
[url=http://www.g5oxitr4404037obd66b7u3dzj3h34s5s.org/]ucfjqvvezj[/url]
cfjqvvezj http://www.g5oxitr4404037obd66b7u3dzj3h34s5s.org/
acfjqvvezj

I managed to get this website from my own friend exactly
who shared with me concerning this site and also at the
moment now I am searching this particular website and also reading through extremely educational articles or blog posts or even evaluations at the moment.

Look into my web blog :: find nsa sex

This site was... how do I say it? Ideal!! Lastly I found a thing
that aided myself.

my blog post ... escort dating sites

Yesterday, while I was at work, my cousin stole my iPad
and tested to see if it can survive a 25 foot drop, just so
she can be a youtube sensation. My apple ipad is now destroyed and she has
83 views. I know this is entirely off topic but I had to share
it with someone!

Feel free to surf to my website link phu m88 airplane

Pages

Add new comment

Filtered HTML

  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Allowed HTML tags: <a> <em> <strong> <cite> <blockquote> <code> <ul> <ol> <li> <dl> <dt> <dd>
  • Lines and paragraphs break automatically.