Çfarë deklaronte Mitrush Kuteli në hetuesi: Si e sabotova aparatin e shtetit nazi-fashist

Një rrëfim i sinqertë i Dhimitër Paskos (Mitrush Kutelit) para hetuesit. E vërteta e Rumani, “bashkëpunimit” me qeverinë fashiste  dhe atë komuniste, pas 1942, deri në arrestimin e tij 1947

Më 4 maj mbushen plot 50 vjet nga vdekja e shkrimtarit të shquar Mitrush Kuteli, një nga personalitetet e mëdha të letërsisë dhe ekonomisë shqiptare. Sot po shkëpusim vetëm një episod nga jeta e tij e turbullt dhe e dhimbshme, nën regjimin komunist. Debati nëse ishte apo jo fashist Kuteli dhe a ka qenë pjesë e “Rojes së hekurt”, një debat ku u përfshi para ca kohësh edhe shkrimtari madh Ismail Kadare, vetë Kuteli e sqaron të vërtetën në deponimin e tij në vitin 1948. Më 16 maj 1947 atë e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit”, ku e dënuan  me 5 vite heqje lirie, tre muaj pasi kishte shkruar faqen e fundit të novelës "Tatë Tanushi", dhe konfiskim të pasurisë. Pasko u dënua me vendim Nr. 220, datë 7/IV/1948, të Gjykatës së Lartë Ushtarake të Tiranës, me 5 (pesë) vjet privim lirie dhe punë të detyruar, pa konfiskimin e pasurisë së tij. Por ai u lirua nga burgu, në maj 1949 me falje, pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë. Pas kësaj, Pasko nuk punoi më në ekonomi dhe shkroi vepra origjinale vetëm në kohën që i mbetej nga përkthimi, veprimtari të cilën e kishte zgjedhur si një mënyrë për të siguruar jetesën me ndershmëri, në kushtet e një diktature që diktonte gjithçka. Kuteli mbylli sytë më 4 maj 1967. Ja një pjesë nga deponimi  tij në gjyq, i mbajtur 

më datën 28/ II/ 1948, n’orën 1.30 para dite.

“Procesverbal, i mbajtur kundra Dhimitër Paskos (Mitrush Kuteli) i biri i të ndierve Pandi e Poles, vjeç 41, i martuem Efterpi Skëndi, pa fëmijë, profesioni shkrimtar, rrjedh nga nji shtresë e mesme qytetare, i paproceduem, i padënuem, kombësija babanë vlleh Rumun dhe nënën shqiptare, shtetësia shqiptare, i cili deklaron sa më poshtë.

Shkollën fillore e kam bërë në Pogradec, të mesmen tregtare në Selanik, universitetin në Bukuresht në 1934, ku kam marrë doktor në shkenca ekonomike. Si mbarova shkollën, kam punuar në Bukuresht në një depo venash, kam punuar gjith’ashtu në gazetën ‘Shqipërija e Re’ që dilte në Kostancë. Mandej në zyrën e studimeve të Financës dhe në kreditin industrial. Në Shqipëni jam kthyer më 1942 dhe hyra si drejtor administrator, të drejtë firme në S.A.S.T.E.B. për një vit, por u largova mbasi dhashë dorëheqjen të pestin muaj. Mandej hyra në Bangën Kombëtare deri më 6 tetor 1944, datë që u arratisa dhe shkova në Berat pranë Ministrisë së Financave. Kur u këtheva në Tiranë hyra në Bankë, deri në Gusht 1946 dhe prej asaj date deri sa u arrestova kam punuar për Institutin e studimeve.

 Pyetje: Ke qenë ti antar i “Rojes së hekurt” në Rumani?

Përgjigje: Kam qenë simpathizues i kësaj organizate, për nji kohë të shkurtër, por antar jo.

 Pyetje: Pse e simpathizonje këtë lëvizje fashiste?

Përgjigje: E simpathizonja për parullat e saja Socialiste, si p.sh. puna është nder dhe lipset të jetë baza e jetës, zhvillimi i Kooperativave, puna vullnetare me krah e intelektualëve etj., të cilat shof sot se i kishin marrë nga komunizmi dhe i kishin përfetësuar.

 Pyetje: Ishte socialiste kjo lëvizje sipas mendimit tënd?

Përgjigje: At’herë besonja se po, sot kuptoj se jo.

 Pyetje: Kishte lidhje me Gjermanët kjo organizatë dhe e dinje ti nji gjë të tillë?

Përgjigje: Nuk e dinja, por më vonë e mora vesh se kishte lidhje.

 Pyetje: Dinje gjë ti at’here për Bashkimin S. dhe çfarë mendimi kishe për këtë shtet?

Përgjigje: Gjë të sigurt nuk dinja, libra nga Bashkimi Sovjetik nuk vinin dhe mendimet e mia ishin shumë konfuze, ashtu siç i krijonte shtypi mbrendëshëm (rumun) që ishte reaksionar dhe fjala bolshevik në shtyp përdoresh për keq.

 Pyetje: Nga këto del që ti ke qënë fashist i vjetër, antar i “Rojes së hekurt”, prandaj fol drejt?

Përgjigje: Nuk kam qënë fashist, por nji socialist i trubulltë, pa gjetë vijën e caktume.

 Pyetje: Ti kishe të gjtiha mundësitë me kuptue të mirën dhe të keqen, kishe mbaruar shkencat ekonomike dhe pse tash paraqitesh si inoçent, prandaj fol?

Përgjigje: Universiteti ishte shumë anshëm dhe nuk jipte mundësi të orjentohemi dhe për strukturën ekonomike, për punë që zhvilloheshin (në B.S.) nuk flitesh fare, ose kur flitesh e quanin kaos. Këto ishin kurset që bëheshin n’universitet.

 Pyetje: Domethënë ti je rrit me tendenca reaksionare?

Përgjigje: Dëshira e jeme ka qenë gjithmonë gjetja e nji rruge për drejtësi shoqënore. Ambjenti ishte konfuz, reaksionar, unë mbeta i dizorjentuar.

 Pyetje: Ke qënë ti vullnetar në Bashkimin Sovjetik më 1941?

Përgjigje: Jo nuk kam qënë dhe as që mendonja, por më muarën disa muaj ushtar me forcë dhe prita rastin e parë që të largohem, mbasi ndjenja se lufta që bëhej ishte e pa drejtë, agresive. Atje kam qëndruar dy muaj e gjysëm dhe punonja si sekretar i II-të dhe me anën e Bankës u lirova, mbasi kërkova vetë nji gjë të tillë.

 Pyetje: Në Shqipëri kur je kthyer dhe me cilët autoritete je takuar?

Përgjigje: Jam këthyer në shtator të 1942 dhe jam takuar me plot njerëz si dhe me Dhimitri Beratin, ish-president i S.A.S.T.E.B.-it dhe kam biseduar me të çështje familjare. Në dhjetor hyra në S.A.S.T.E.B dhe sikur e kam thënë, qëndrova pesë muaj megjithë se kontratoja ishte për një vit dhashë dorëheqjen dhe mbasi kapitulloi Italia kam punuar në Bankën Kombëtare.

 Pyetje: Puna që ke bërë ti ka qenë në shërbim t’okupatorëve?

Përgjigja: Unë kam menduar si kundra okupatorit, për me mos u dhënë mjete financiare, për të larguar ose ngadalësuar ato që epte qeverija, për të sigurue rezervën e për të mos emetuar monedhë të re.

 Pyetje: D.m.th, e paske paralizue aparatin e shtetit nazi-fashist?

Përgjigje: Po e kam sobotuar.

 Pyetje: Çfarë shkrimesh ke shkruar në kohën e gjermanëve?

Përgjigjja: Kam shkruar artikuj ekonomik dhe letra, në gazetën “Bashkimi i Kombit”, kjo ishte e qeverisë, por artikujt e mij ishin kritikë kundra qeverisë për çështje financiare dhe ekonomike.

 Pyetje: Si të linin ty të shkruaje kundra qeverisë si spektator, kurse e vërteta është se ti ke qënë bashkëpunëtor i “Bashkimit të Kombit” dhe qeverisë kuislinge?

Përgjigje: Ata nuk kuptonin. S’kishte kontroll, ishin budallej, kishte anarshi. Tash titujt nuk me kujtohen, por ishin mbi financën, kundra shpenzimeve të kota që kalonin në mundësinë e shpenzimeve të kota që kalonin në mundësitë financiare të vëndit.

 Pyetje: Mbas çlirimit, ç’punë ke bërë dhe pse ike nga banga ?

Përgjigje: Kam punuar në bangë dhe ika se kam qënë i sëmurë, nervostenik dhe mandej kam punuar nja dy muaj për pregatitjen e programit të studimit të folklorit n’Institutin Pedagogjik.

 Pyetje: Ç’marrëdhënie ke me pas me Kol Kuqalin?

Përgjigje: Ato që rrithnin nga detyra si antar administrativ në bangë.

 Pyetje: Je takuar shpesh me të lart–përmëndurin?

Përgjigje: Në bankë kur ishte po, mandej kam shkuar në shtëpi kur i kanë sjellë eshtnat e djalit nga Prishtina më 1946, ky ka ardhur ke shtëpija eme një herë për shënime dhe për urime martese. Kur erdhi me tha se nuk jam nisë direkt për ke ty, por mbasi isha në nji shtëpi këtu afër u ktheva për urime.

 Pyetje: Tjetër herë ke qenë në shtëpi të tij?

Përgjigje: Po kam qënë për të bërë bibliografinë e librave të reja që më kishte ngarkuar Instituti i Studimeve më 1947, për këtë punë kam qënë edhe në komunitetin mysliman dhe atë orthohkos në depot e librave etj.

 Pyetje: Takoheshe me Kolën ndonjiherë tjetër e ç’farë bisedonit?

Përgjigje: Mund të jem takuar rastësisht rrugës dhe pyesnje shpesh për të birin që i kishte vdek, mbasi donja të shkruanja diçka për dëshmorët e Prishtinës. Unë kërkonja punë dhe kishte shpresë që do të gjan por ai thoshte me ironi se ty nuk të jap punë.

 Pyetje: Flite ndonji herë kundra pushtetit ose tregohesh i pakënaqur Kola?

Përgjigje: Me mua nuk bisedonte ndonji kundra, por ai vetë dukesh i ftohtë.

 Pyetje: Po Kost Boshnjakun prej sa kohe e njef dhe ç’biseda ke pas me ‘të?

Përgjigje: Kost Boshnjakun e njof qysh në Rumani me 1931-32 dhe shkruanim në gazetën “Shqipërija e Re” në Kostancë e mandej jam takuar me ‘të Prisk, kur u arratisa Tetor 1944 dhe më von në Tiranë.

 Pyetje: Sa herë ke qënë ke shtëpija e të nalt-përmendurit?

Përgjigje: Kam qënë nja dy herë. Nji her kam qënë për të marrë firmën e Milancit bankës dhe nji herë tjetër për të takue me nji plak nga Ballkameni i Fëllërinës, i cili dinte shumë këngë popullore, për këtë më kishte thënë Kosta, por mensi plaku at ditë ishte i sëmurë dhe banonte në një shtëpi me Boshnjakun hyna ke Kosta dhe qëndrova nja gjysëm ore, por nuk më kujtohet çfarë kemi biseduar.

 Pyetje: Tjetër herë je takuar me të ?

Përgjigje: Jam takuar pranë Librarisë dhe kishte në dorë Revistën Krediti dhe tha në, se e kisha këndue një artikull që thoshte diçka mbi disa antarë t’ish këshillit administrativ se ata donin thoshte artikulli që me anën e bankës të mirrnin ... në dorë. Unë i thashë nuk e kam kënduar. Ai ma tregoi dhe tha çuditem se Ministri Financës na falënderoi kur duallmë nga Këshilli për punën e zhvilluar në bankë dhe qeshi me çudi.

 Pyetje: Ç’ke biseduar me ‘të kundra pushtetit, sepse neve e dimë se ti ke bashkëpunuar për të rrëzuar pushtetin me Kost Boshnjakun e Kol Kuqalin, prandaj fol drejt?

Përgjigje: Tjetër gjë nuk kam biseduar përpos këtyre që tregova, as me të parin, as me të dytin.

Sa u tha më sipër, janë të vërteta dhe mbasi u lexua fjalë për fjalë, i firmoj me vullnet të lirë.

 I pandehuri Dhimitër Pasko /360grade

 

Komentet

Add new comment

Filtered HTML

  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Allowed HTML tags: <a> <em> <strong> <cite> <blockquote> <code> <ul> <ol> <li> <dl> <dt> <dd>
  • Lines and paragraphs break automatically.