Çfarë trashëgon Fatmir Xhafaj nga Saimir Tahiri?

Depolitizimi dhe dekriminalizimi i Policisë së Shtetit, sfida e ministrit të ri të Brendshëm

Fatmir Xhafaj e merr drejtimin e Ministrisë së Brendshme në një moment kritik, por edhe në një gjendje dramatike.

Momenti nuk është më i përshtatshmi për t’u ulur në karrigen që iu mohua 14 vjet më parë nga votat e grupit të Ilir Metës në PS. Në tre muaj janë parashikuar për t’u mbajtur zgjedhjet e përgjithshme dhe kjo ministri ka një peshë specifike në garantimin dhe mbarëvajtjen dhe garantimin e procesit.

Rëndësinë e sjelljes së policisë në këto zgjedhje e nënvizoi edhe ambasadori i OSBE sot në një aktivitet për trajnimin e uniformave blu.

“Zgjedhjet e këtij viti do të jenë një pikë e rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe performanca e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor do të jetë një përbërës thelbësor i zgjedhjeve të suksesshme”, tha Borchardt.

Ai e vuri theksin tek lufta kundër kanabisit, teksa më parë ka deklaruar se 2 miliardë euro të pista që vijnë nga trafiku i drogës janë gati për t’u përdorur në zgjedhje për të blerë deputetë.

Gjendja në të cilën Fatmir Xhafaj e gjen policinë e shtetit është ndër më të rëndat që prej rrëzimit të diktaturës. Për herë të parë në histori kupola e policisë së shtetit dyshohet se është e implikuar në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.

Akuzat nga opozita janë të drejpërdrejta. Ajo çfarë i bën të besueshme ato është situata e krijuar me kanabisin. Si do të mund të mbillej drogë në çdo cep të Shqipërisë nëse policia do t’u ishte kundërvënë trafikantëve? A pati ndonjë parcelë të shkatërruar që në mbjellje? Po ndonjë kilogram farë kanabis të kapur? Zero!

Ajo çfarë prodhoi viti 2016 është provë se policia ose e ka lejuar me dashje kultivimin ose është krejtësisht e paaftë për të kontrolluar territorin.

Në të dyja rastet ajo ka përgjegjësi të drejpërdrejtë.

Në të dyja rastet, puna e Fatmir Xhafajt do të jetë tejet e vështirë për ta ndryshuar gjendjen.

Ish –ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, binomi përgjegjës për këtë situatë, nuk shkarkuan ndonjë drejtues të policisë.

Shumë prej tyre, sipas opozitës, janë emëruar si militant partiakë. Disa të tjerë për shkak të lidhjeve me narkotrafikantët.

Situata është alarmante. Presidenti i Republikës e quajti emergjencë, teksa i kërkoi kuvendit të nisë menjëherë depolitizimin e policisë, të cilin e lidhi drejpërdrejtë me luftën kundër narkotrafikut.

“Ajo që unë do t’i kërkoja Kuvendit ka të bëjë me përparësitë që ka sot dhe duhet të ketë qeveria shqiptare, posaçërisht në dikasterin e Ministrisë së Brendshme, që është nisja e menjëhershme deri te zgjedhjet e ardhshme politike e depolitizimit të Policisë së Shtetit. Kjo është një emergjencë, e cila jo vetëm të respektonte përcaktimet kushtetuese dhe detyrimet ligjore të funksionimit të Policisë së Shtetit, por nga ana tjetër, do të ulte fuqishëm besoj sensin e polarizimit të madh politik që është në vend.

Së dyti, lufta kundër trafikut të kanabisit dhe konfiskimi e sekuestrimi i pronave dhe aseteve financiare të individëve të përfshirë në trafikun e kanabisit me rekorde të regjistruara konkrete të para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të vendit.

Nuk besoj se do të ketë sukses lufta kundër trafikut, lufta kundër grupeve kriminale, nëse nuk kemi një institucion të Policisë së Shtetit tërësisht të depolitizuar. Prandaj e thashë se përparësia e parë që Kuvendi duhet të kërkojë nga qeveria dhe Ministria e Brendshme është depolitizimi i Policisë së Shtetit, duke nisur pastaj e krijuar mundësitë për luftën më të suksesshme ndaj grupeve kriminale dhe fenomeneve të tjera, që mund të kërcënojnë procesin zgjedhor.”

Largimi i Saimir Tahirit nuk e ndryshon gjendjen nëse në zgjedhje shkohet me të njëjtët drejtues të policisë dhe nëse sezoni i kultivimit të drogës përballohet po me të njëjtët drejtorë.

Saimir Tahiri nuk i ka marrë me vete mëkatet. Më to do të duhet të përballet Fatmir Xhafaj, i cili, nëse realisht do ta ushtrojë detyrën e Ministrit të Brendshëm, do të duhet të vendosë në krye të policisë profesionistë pa lidhje me narkotrafikantë e vrasës, për të kthyer së pari besimin e policisë tek publiku dhe për ta shndërruar policinë në strukturën që prangat i përdor për kupolën e krimit dhe jo për qytetarët që nuk mbajnë rripa sigurimi në makinë. /Lapsi.al

Komentet

Comments

Shikoni Drejtorin e Policise si egzemplar i policit qe e emeron krimi.

Te Fierit se e harrova.

Po ikni mo pirdhuni me gjithe keta artikuj vari lesht... po ca policie jetuat e trasheguat nga Saliu more njerez qe nuk Di ku jetoni ju qifte Saliu mamin...ju kishit droge ku te mundej korrupsion ne cdo cep policie e polici .. me drejtues nga ministri e drejtori te paafte e te mefshte....

Add new comment