• |
ide | kryesore

Skandali/ Transporti publik i palicensuar, policia nuk merr masa

I pakategorizuar
1493405252fiksiii.jpg



Makina 8+1 dhe 6+1, që nuk janë të licencuar për transport publik, jo vetëm që nuk janë zhdukur nga qarkullimi, por atyre u ruhet radha nga vetë punonjësit e policisë, ndërkohë që policia bashkiake nuk e prish qetësinë për t’i kontrolluar, duke i lejuar në stacione të paautorizuara.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në qytetin e Laçit, ku furgonë të palicencuar konkurrojnë me furgonë të licencuar nën vëzhgimin e policisë dhe askush nuk merr masa për ndalimin e këtij aktiviteti abuziv.

Konkretisht, gazetarët bënë një vëzhgim në linjën që të çon për në Kishën e Shën Ndout, ku ka furgonë me licenca dhe pa licenca, ndërkohë që policia vetëm u mban radhën. Gjatë bisedës, një nga punonjësit e policisë, i cili mban radhën e furgonëve, thotë se nuk ka çfarë të bëjë.

“Nëse nuk u mbajmë radhën ata zihen me njëri-tjetrin”, thotë ai, ndërkohë që shton se nuk ndërhyjnë për të kontrolluar nëse kanë licenca apo jo. Fiksi bisedoi për këtë shqetësim edhe me shefin e trafikut në Komisariatin e Kurbinit, i cili ka ngritur postbllok, kur ngjitesh për te kisha, por nuk kontrollon stacionin e furgonëve. Ai ngre pretendimin se nuk mund t’i penalizojë furgonët në rrugë, pasi pasagjerët shprehen që janë familjarë dhe nuk pranojnë të denoncojnë në komisariat. I pyetur pse nuk kontrollohen në stacion, atje ku furgonët pa licencë mbushen me pasagjerë, ai thotë se nuk ka forca të mjaftueshme policore, pasi në dispozicion ka vetëm 6 efektivë.

Madje për të kryer shërbimet, është i detyruar të marrë mbështetje nga Drejtoria e Policisë së Lezhës. Madje edhe gjatë vëzhgimit tonë, policia ndalon një furgon pa licencë, por drejtuesi i mjetit i thotë se e përdor për nevoja familjare.

E njëjta situatë ndodh edhe në stacionin e vendosur te Kisha e Shën Ndout në Laç. Aty është mbushur me mjete me licencë dhe me ato pa licencë, ku shikohen qartë furgonët dhe shoferët që kërkojnë pasagjerë për linja të ndryshme, qytetase dhe ndërqytetëse.

Madje, shoferët e licencuar thonë se janë ankuar disa herë, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje, ndërkohë që nga dita në ditë dëmtohen nga të palicencuarit. Ndërsa një shofer i palicencuar thotë se “nuk kam ç’të bëj, duhet të jetoj, nuk kam mundësi të paguaj taksat, prandaj bëj këtë punë”. Edhe pranë këtij stacioni ndodhen punonjës policie, ku njëri prej tyre thotë se përgjegjësinë e ka Bashkia Kurbin, pasi policia bashkiake duhet të kontrollojë licencat dhe mos t’i lejojë në stacione këta furgonë të palicencuar. Ai thotë se këtë e kanë në dorë përfaqësuesit e Bashkisë dhe shefat e tyre, që nëse u japin urdhër, nuk i lejojnë makinat e palicencuara, por nuk mund të ndërhyjnë vetë, sepse ndryshe i heqin nga puna.

Pas këtyre intervistave dhe bisedave gazetarët e Fiks Fare u interesuan edhe pranë Bashkisë Kurbin. Përgjegjësi i transportit në Drejtorinë e Shërbimeve të Bashkisë, Anton Brozi, deklaron se ende kanë probleme me disiplinimin e transportit ndërqytetës dhe qytetas edhe për shkak të ndryshimeve ligjore. Ai tha se sa i përket stacionit për në Kishën e Shën Ndout, ai nuk është stacion i autorizuar prej tyre, as për makina të licencuara dhe as për makina të palicencuara, por për kontrollin e territorit është përgjegjëse policia bashkiake.

Kryeinspektori i Policisë Bashkiake, Mëhill Luli, thotë se nuk ka forca për të kontrolluar të gjithë territorin, pasi gjithsej ka vetëm 8 punonjës, të cilët sidomos ditëve të marta, i ka të angazhuar me detyra të tjera sipas një plani pune. Ai pretendon se ditët e tjera të javës nuk paraqitet e njëjta situatë, megjithëse vazhdon të ketë probleme për disiplinimin e transportit publik. /Tch