KLD i dërgon Presidentit kërkesën për shkarkimin e gjyqtares Majlinda Andrea

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i dërgoi Presidentit Bujar Nishani kërkesën për shkarkimin e Majlinda Andreas.

Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë u dënua me 4 vite burg për korrupsion, por dënimi u konvertua në në 3 vjet shërbim prove.

Majlinda Andreas ndërkaq me vendim të Gjykatës së Lartë i është hequr edhe e drejta e ushtrimit të detyrës për 5 vite.

NJOFTIMI I PLOTE I MBLEDHJES SE KLD
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, më datë 17.07.2017, mbledhjen plenare, e cila nisi me diskutimin e kërkesës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë për fillimin e procedurave për deklarimin e përfundimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë zj. M.A. Në përfundim të diskutimeve, anëtarët e Këshillit vendosën t’ia kalojnë për shqyrtim këtë çështje, Presidentit të Republikës.

Në vijim Këshilli mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 34 datë 10.04.2017, lidhur me mbarimin e statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës të pensionit, nuk miratoi kërkesën për deklarimin e mbarimit të statusit për shkak të mbushjes së pensionit për disa gjyqtarë.

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli vijoi me shqyrtimin e kërkesës dhe miratimin e komandimit të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë z. Durim Kadiu pranë Gjykatës së Lartë.

Këshilli shqyrtoi edhe kërkesën e kryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje zj. Esmeralda Çeka, lidhur me nevojën e komandimit të një kryetari pranë kësaj gjykate, për shkak të përfitimit nga ana e saj të lejes së barrëlindjes, në muajin korrik 2017. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli vendosi emërimin e përkohshëm të gjyqtares Saemira Hila për të ushtruar detyrën e Kryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje, deri në përfundimin e lejes së barrëlindjes së kryetares aktuale.

Më tej mbledhja vijoi me miratimin e kërkesës së pesë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me objekt “Futja në rend të ditës të shqyrtimit të çështjes në lidhje me dhënien e lejeve të papaguar sipas nenit 24 të ligjit nr.96/2016”, kërkesë e cila u miratua nga Këshilli.

Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit. 

Komentet

Add new comment