Rama përgatit terrenin për të qeverisur i vetëm: Do më thërrasin diktator…

Edi Rama po parapërgatit opinionin publik për kundërshtitë që do të ketë me LSI-në katër vitet e ardhshme, në raportin mazhorancë-opozitë.

Pa e cilësuar me emër, Rama tha në Berat sot se pozita nuk ka punë me LSI-në, pasi ato mund t’a bëjnë opozitën si të duan. Sipas Ramës, ata kanë marrë një detyrë, ndërsa Partia Socialiste një tjetër. Kryeministri u shpreh se timoni duhet mbajtur drejt pavarësisht se LSI do bërtasë e nuk do lërë gjë pa bërë.

“Me të shara me mallkime me ulërima ashtu duan ta bëjnë opozitën le ta bëjnë, ne s’kemi punë me ta, ata thjesht kanë marrë një detyre, ne kemi një detyrë tjetër, ne s’kemi marrë detyrë t’u përgjijgemi ulërimave të tyre. Ata do bërtasin që s’do lënë gjë pa bërë tani është aftësia jonë të mbajmë timonin drejt.” – deklaroi Rama në Berat.

Etiketimeve që po i bëhen, si “Enver Hoxha” apo “diktator me Facebook”, kryesocialisti po i paraprin, sikurse bëri sot në Berat. Rama tha se do t’i thonë: “Ja si Enver Hoxha”, por armiqtë e vërtetë janë në zyrat e shtetit.

Këtu iu kthye sërish temës së tij të preferuar të fushatës post-zgjedhore, se administrata duhet zbrazur nga abuzuesit.

“Armiqtë tanë janë parazitët dhe grabitqarët në zyrat e shtetit, ata janë armiqtë e popullit shqiptar dhe ne do i trajtojmë si armiq, armiq në kuptimin e plotë të fjalës, tani do dalin do thonë ja si Enver Hoxha, po po ata janë armitë tanë, në zyrë, po morën përsipër të rrinë në zyrë do i shërbejnë njerëzve. S’mund të turpërohemi për 50 drejtorë që janë në cdo qark.” – deklaroi Edi Rama. /LAPSI.AL/

Komentet

Add new comment