• |
ide | kryesore

Rama fshin premtimet e rreme nga programi pas fitores

I pakategorizuar
rama-me-dy-gishta.jpg



Për “Manifestin e Shqipëerisë që duam” që PS e hartoi para 25 Qershorit, nuk u fol shumë në fushatën e Edi Ramës. Broshura shumëngjyrëshe ku shkruheshin premtimet për qeverisjen 2017-20121 u la në hije, për t’u zëvëndësuar nga një fushatë spektakolare.

Debatet mes politikanëve u zëvëndësuan me transmetimet pa ndërprerje të mitingjeve të Ramës, Bashës dhe Metës nëpër televizione. Media nuk filtroi më asnjë premtim. Nuk pati bilanc të qeverisjes së shkuar. Në fushatë mbizotëroi spektakli dhe batuta.

Edi Rama ia doli të marrë votat për 74 deputetë, pa premtime të mëdha, ndryshe nga sa kishte bërë në 2013. Gjithsesi socialistët hartuan “Manifestin e Shqipërisë që duam”, një dokument përmbledhës të asaj që premtojnë të bëjnë 4 vitet e ardhshme.

“Manifesti për Shqipërinë që duam” u publikua në faqen zyrtare të PS.al para fushatës. Në vija të përgjithshme është pak a shumë i njëjtë me “Programin final” të PS-së, atë pas fushatës. I bashkon triumfalizmi i tipit “nga fitorja në fitore”, por sërish dy dokumentet, para dhe pas fushatës kanë dallime.

220 mijë vende pune

Para fushatës, Edi Rama premtoi 220 mijë vende pune. Deklarata u artikulua nga Arben Ahmetaj, gjatë prezantimit të manifestit. Pas dështimit të 300 mijëshit të famshëm, 220 mijë vendet e tjera të punës ngjanin me hirin që iu hidhej syve të shqiptarëve rëndom nga politika. Raportet e huaja për shifrat e punësimit në rajon tregonin se premtimi për 220 mijë vende të reja të punës ishte një idiotësi, ndaj dhe socialistët e kanë hequr nga programi final.

Rritja e pensioneve

Gjatë fushatës premtohet rritje pensionesh dhe shpërblim 7-10 mijë lekë. Do të jepej që këtë vit, sipas manifestit të socialistëve:

“Ne do të vazhdojmë rritjen vjetore të pensioneve, si dhe angazhohemi për dhënien e shpërblimit të fundvitit nga 7 deri në 10 mijë lekë për çdo pensionist, duke nisur nga viti i parë i qeverisjes” shkruhej në manifest.

Në programin final shifrat e shpërblimit të fundvitit janë zhdukur. Premtohet vetëm rritja e të ardhurave nga kontributet dhe ulja e defiçitit për skemën e pensioneve:

“Në këtë mandat, në fushën e pensioneve do të synojmë të rrisim të ardhurat nga kontributet me rreth 30 përqind dhe numrin e kontribuesve në rreth 1 milion në vitin 2021, duke përmirësuar ndjeshëm raportin përfitues-kontribues, si dhe duke ulur edhe më tej deficitin e skemës së pensioneve” thonë socialistët pas fushatës.

Paga minimale

Para fushatës, socialistët premtuan se paga minimale do të jetë 30 mijë lekë. Me shkronja të mëdha e plot ngjyra, paga minimale ka qenë një premtim që realisht godet fort tek votuesit.

Pas fushatës, shifra është zhdukur. Vetëm në fillim të prezantimin e “Programit final” përmendet qëllimi për “rritjen e ndjeshme të pagave dhe pensioneve”./Lapsi.al