Beteja pas zgjedhjeve/ Kush do të qeverisë në Shkup?

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka kohë deri të hënën të ofrojë një mandat për formimin e qeverisë së re te një nga dy kryeministrat e mundshëm, lideri i VMRO DPMNE Nikola Gruevsi apo shefi i Social Demokratëve të opozitës Zoran Zaev.

Partia qeverisëse VMRO DPMNE, që pati një fitore të ngushtë në zgjedhjet e 11 dhjetorit shpreson që presidenti do të ndjekë procedurën normale dhe do t’i ofrojë asaj mundësinë e parë.

“Sapo të marrim mandatin, do të fillojmë negociatat dhe do të bëjmë përpjekjet maksimale për formimin e një qeverie,” tha të hënën VMRO DPMNE.

“Detyra jonë është të bëjmë gjithçka brenda pushtetit për të realizuar platformën që i premtuam votuesve tanë”.

Sipas kushtetutës, kandidati për kryeministër ka 20 ditë kohë pas marrjes së mandatit për të siguruar një shumicë prej 61 deputetësh në parlamentin me 120 vende. Ndërsa partia qeverisëse ka fituar 51 vende në zgjedhje, opozita fitoi 49 me një diferencë prej vetëm 17,000 votash.

Social Demokratët në opozitë, kanë lënë të kuptohet se ata mund të informojnë presidentin nga e hëna e në vazhdim se kanë mbështetjen e nevojshme parlamentare, që në teori mund të shkurtojë procedurat për formimin e një qeverie të re.

“Partitë që fituan mbi 600.000 vota në zgjedhje do të formojnë qeverinë,” tha partia për BIRN, duke iu referuar numrit total të votave që shkuan për partitë opozitare, që e kalon numrin 450.000 të votave të VMRO DPMNE.

“Gruevski nuk ka më vlerë politike; shumica e votuesve mbështetën partitë opozitare dhe kërkuan ndryshim,” tha SDSM.

Të dy rivalët që synojnë të drejtojnë qeverinë e re, megjithatë, varen nga vullneti i partive etnike shqiptare, që fituan 20 vende në parlament.

Mbështetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, që ka fituar dhjetë vende, mund të jetë e dobishme për çdo parti që kërkon shumicë.

Megjithatë disa anëtarë të BDI kanë nënkuptuar se do ta prishin partneritetin e tyre 8-vjeçar me VMRO DPMNE, ndërsa partia ka mbetur e heshtur për synimet e saj duke thënë vetëm se vendimet e saj do të bazohen te vullneti i votuesve.

“Nuk kam takuar asnjë shqiptar që ka thënë, ‘po, duhet të bëjmë aleancë me Nikola Gruevskin’. Të gjithë shqiptarët që njoh janë kundër një aleance të tillë,” tha anëtari i kryesisë së BDI Nevzat Bejta për TV 21 në një intervistë në fund të dhjetorit, pasi partia e tij fitoi vetëm gjysmën e votave të zgjedhjeve në 2014, një lëvizje që u pa si ndëshkim për aleancën me Gruevski.

 

Autori Sinisa Jakov Marusic është gazetar i BIRN në Shkup. Që nga viti 2007 ai ka mbuluar ngjarjet politike, sociale, dhe ekonomike në Maqedoni, në mënyrë të veçantë ato të lidhura me drejtësinë tranzicionale. Përpara se ti bashkohej BIRN, Marusic ka punuar si gazetar në të përditshmen Maqedonase Spic dhe në televizionin publik Maqedonas.

 

Caption: 
WWW.LAPSI.AL

Komentet

Add new comment

Filtered HTML

  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Allowed HTML tags: <a> <em> <strong> <cite> <blockquote> <code> <ul> <ol> <li> <dl> <dt> <dd>
  • Lines and paragraphs break automatically.