“Matilda”, filmi erotik mbi carin e fundit rus

Një film kontrovers mbi carin e fundit rus pritet të shfaqet për herë të parë gjatë kësaj të hëne në kinematë anembanë Rusisë, mes masave të shtuara të sigurisë pas sulmeve ndaj një kinemaje dhe një studioje kinematografike nga ekstremistët fetarë.

“Matilda”, e regjisorit Alexei Uchitel, tregon historinë e dashurisë mes Nicholas II dhe Mathilde Kschessinska, një prima balerinë e Teatrit “Mariinsky” në Shën Pjetërburg.

Disa të krishterë ortodoksë pretendojnë se filmi është një blasfemi, sepse përshkruan carin që u kanonizua nga Kisha Ortodokse Ruse në vitin 2000, në skena erotike. Nicholas dhe familja e tij u vranë nga revolucionaristët në vitin 1918.

Javën e kaluar, një kinema në Yekaterinburg, një qytet në qendër të Rusisë ku ndërroi jetë edhe familja mbretërore, u shkatërrua keqazi pasi një aktivist fetar drejtoi një kamion drejt saj, në shenjë proteste ndaj filmit “të djallëzuar”. Megjithatë, asnjë person nuk mbeti i plagosur nga ky akt.

Në gusht, një sulm me zjarrvënie u përpoq të konkretizohej ndaj studios kinematografike të regjisorit Uchitel në Shën Pjetërburg. Pas ngjarjes, regjisori tha se apeli i tij për mbrojtje policore ishte injoruar.

“Christian State-Holy Rus”, një lëvizje e ortodoksve radikalë rusë, paralajmëroi se “kinematë do të digjeshin” nëse “Matilda” do të shfaqej në to. Gjithsesi, filmi pritet të shfaqet në mbarë kombin gjatë muajit të ardhshëm. Por, deri më tani asnjë pjesëtar i kësaj lëvizjeje nuk është marrë në pyetje nga policia, e jo më të arrestohet.

Ata që kanë siguruar një biletë për shfaqjen e sotme kanë marrë edhe urdhrin për të mbërritur në kinema të paktën 30 minuta përpara se të nisë filmi, për shkak të kontrolleve të sigurisë në hyrje të kinemasë.

Komentet

Add new comment